Një fëmijë 7 vjeç ka humbur jetën këtë të hënë, në ditën e para të shkollës për këtë javë dhe në ditët e fundit për këtë sezon shkollor, sepse është aksidentuar nga një makinë teksa kalonte rrugën me nënën.
Burime paraprake nga vendi i ngjarjes, tregojnë se i mituri i ka shpëtuar nënës nga dora dhe ka kaluar rrugën, duke u përplasur nga automjeti që drejtohej nga shtetasi Petri Bozo, 61 vjeç.
Sipas dëshmive të banorëve të zonës, në fshatin Mengël të Elbasanit, drejtues i mjetit ka qenë duke lëvizur me shpejtësi, ndërkohë që vetë drejtuesi i mjetit ka deklaruar se ka qenë me shpejtësi 10 km/h.
“Shoferi thoshte që është në rrugë nacionale. ‘Kam të drejtën time. Kam qenë më 10 km në orë’, ka thënë shoferi. Në këtë rrugë ka ndodhur dhe një tjetër ngjarje e rëndë. Rruga është bërë shumë e rrezikshme në këtë lagje” u shpreh një banor i zonës për Top Channel.
Ndërsa një banore ka deklaruar se burrat që ndodheshin në lokalin krah shkollës, kanë dalë menjëherë dhe i kanë dhënë ndihmën e parë vogëlushit. Ata kanë ngritur të gjithë bashkë automjetin për të nxjerrë 7 vjeçarin nga poshtë makinës dhe e kanë dërguar në spital.
“E kanë parë që ishte me shpejtësi maksimale. Edhe pse ka thënë që ishte me 10 km/h. Erdhën gjitha burrat nga lokali, ngritën makinën që nxorën fëmijën. Thirrën ambulancën, nuk erdhi. E morën më makina te rastit dhe e çuan në spital. Ambulanca erdhi pas 15 minutash nga momenti që fëmija u nis në spital. Rruga është shumë e rrezikshme. Bëhen shumë aksidente”, ka deklaruar ajo.