PAMJA E PARË nga vendi i tragjedisë së rëndë që tronditi sonte Maqedoninë – katër persona humbën jetën (VIDEO)

Views: 8,474

Detaje të reja dhe tronditëse po dalin në pah nga aksidenti tragjik që ndodhi mbrëmë në unazën Radishanë–Prishtinë–Mirkovc, ku katër persona humbën jetën pas një përplasjeje të fuqishme mes një veture BMW (me shumë gjasë me targa të Shkupit) dhe një kamioni me targa të Kosovës, raportoi Alsat.

ALSAT mëson se shoferi i kamionit ka mbijetuar, ndërsa sipas informacioneve të para dyshohet se ai kishte humbur vetëdijen nga lodhja, duke kaluar në korsinë e kundërt dhe duke shkaktuar përplasjen fatale. Nga goditja e fortë, BMW-ja është përfshirë menjëherë nga flakët, ndërsa katër personat që ndodheshin brenda nuk kanë arritur të dalin nga automjeti.

Vetura është djegur pothuajse tërësisht, duke mos lënë pothuajse asnjë gjurmë që mund të ndihmojë në identifikimin e viktimave.

Ende nuk dihet nëse viktimat janë anëtarë të një familjeje apo një grup të rinjsh. Burime nga terreni thonë se për shkak të djegies së plotë të automjetit, identifikimi pritet të jetë i vështirë dhe do të kërkojë procedura shtesë hetimore.

Në vendin e ngjarjes ka mbërritur edhe prokurori kompetent, i cili përveç hetimit të përgjithshëm të rastit, pritet të analizojë edhe gjurmët e gomave të lëna në asfalt nga frenimi dhe përplasja.

Hetimet në terren pritet të zgjasin deri në orët e hershme të mëngjesit, kur kushtet për ekzaminim do të jenë më të mira falë dritës së ditës. Sipas të dhënave paraprake, aksidenti ka ndodhur rreth orës 23:30, ndërsa nga pamjet e sistemit “Qyteti i Sigurt”, duket se BMW-ja kishte targa të Shkupit.

Aktualisht, ekipet e zjarrfikësve, emergjencës dhe policisë vazhdojnë të qëndrojnë në vendin e ngjarjes, ndërsa autoritetet kërkojnë të pritet versioni zyrtar deri në përfundimin e plotë të hetimeve.

Leave a Comment