Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, i ka kërkuar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që të tërheqë deklaratat e bëra ndaj tij dhe të kërkojë falje publike brenda 24 orëve.
Përmes avokatit të tij, Lushtaku i ka cilësuar deklaratat e Kurtit si shpifëse dhe të dëmshme për reputacionin e tij politik dhe personal. Reagimi vjen pasi Kurti deklaroi në një intervistë televizive se Lushtaku kishte tentuar të rrezikonte eskortën e tij gjatë një ngjarjeje në Skenderaj.
Në letrën zyrtare thuhet se deklaratat e kryeministrit në detyrë krijojnë perceptim negativ dhe e paraqesin Lushtakun si person me sjellje të rrezikshme, pa pasur sipas tyre prova apo vendim institucional që mbështet këto pretendime.
Avokati i Lushtakut ka kërkuar publikisht:
tërheqjen e deklaratave,
sqarim publik,
kërkim faljeje,
dhe ndalimin e deklarimeve të tjera që cenojnë reputacionin e tij.
Sipas paralajmërimit, nëse kërkesa nuk realizohet brenda afatit, do të nisin procedura civile për dëm moral dhe reputacional.