Një takim i rëndësishëm politik është zhvilluar së fundmi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Bashkim Jasharit, ku në fokus të bisedimeve kanë qenë zhvillimet aktuale politike dhe çështje me rëndësi strategjike për vendin.
Burime të Gazeta Minuti brenda këtij takimi bëjnë të ditur se, përveç diskutimeve të përgjithshme mbi situatën politike në vend, një nga temat kryesore ka qenë edhe çështja e postit të presidentit të Kosovës. Në këtë kontekst, emri i Bashkim Jasharit është përmendur si një kandidat i mundshëm potencial për këtë pozitë, duke u konsideruar si figurë me peshë dhe me simbolikë të veçantë për vendin.
Po ashtu, gjatë takimit sipas burimeve të Gazeta Minuti është diskutuar edhe për nevojën e ndryshimeve ligjore që lidhen me Forcën e Sigurisë së Kosovës. Sipas burimeve, është folur për avancimin e mandatit dhe funksionimit të FSK-së, si pjesë e përpjekjeve për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe sigurisë kombëtare.
Takimi vlerësohet si një hap i rëndësishëm në koordinimin e qëndrimeve për çështje kyçe shtetërore, ndërsa mbetet të shihet në ditët në vijim nëse këto diskutime do të konkretizohen me veprime politike dhe vendimmarrje institucionale.