Asllan Cenalia, babai i efektivit të vrarë Novruz Cenalia, ka reaguar pasi Gjykata e Apelit në Tiranë, hoqi dënimin me burgim të përjetshëm autorit të vrasjes të së birit, Azgan Mërnica.
Cenalia në një intervistë mediatike, tha se vendimi i Apelit është vrasje për herë të dytë. Më tej ai theksoi se akoma shpreson tek drejtësia dhe se do ta çojnë vendimin në Gjykatën e Lartë.
“Vendimi është i papritur për mua si prind. Si punonjës policie nuk e prisja atë vendim, por shpresoj te drejtësia deri në fund. Vendimi është vrasje e dytë për mua, çfarë të them? Do vazhdojmë rrugët ligjore, jam punonjës policie, zbatimin e ligjit. Nuk ka më të rëndë se ajo që na ndodhi, por do mundohemi ta përballojmë. Do ta çojmë vendimin në Gjykatën e Lartë, shpresoj që do të vihet drejtësia në vend. Ia kam lënë drejtësisë, të bëjë punën e saj”, tha ai për Top Channel.
Autori i vrasjes së policit Novruz Cenalia, Azgan Mërnica i shpëtoi dënimit me burgim të përjetshëm, pasi Gjykata e Apelit e Tiranës, e ka dënuar me 35 vite burg.
Apeli ka rrëzuar vendimin e Gjykatës së Fierit, e cila e kishte dënuar Mërnicën me burgim te përjetshëm. Prokuroria e kishte akuzuar Mërnicën për veprat penale “vrasje e punonjësit të Policisë së Shtetit”, “armëmbajtje pa leje” dhe “drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt”.
Në datë 13 Maj 2024 në fshatin Baltëz, rreth orës 13:00, Azgan Mernica vrau me armë zjarri punonjësin e Policisë së Shtetit, Novruz Cenalia, i cili mbante veshur uniformën e Forcave “Shqiponja”. 28 vjeçari sapo kishte dalë nga shtëpia dhe po shkonte në Drejtori të merrte detyrën.
Konflikti mes tyre, dyshohet të ketë nisur për përparësinë e kalimit në një rrugë të ngushtë që ndodhej në fshatin Baltëz të Fierit, zonë në të cilën banonte familja Cenalia prej shumë vitesh.
Efektivi i Forcave “Shqiponja” ka debatuar me të 23 vjeçarin Azgan Mernica që vinte nga një fshat tjetër, por që kalonte nëpër Baltëz. I riu zbritur ka zbritur nga automjeti i tij, ka hapur çantën ku mbante armën e zjarrit dhe ndërsa shkonte drejt viktimës, i cili nuk ka dalë nga mjeti, e ka qëlluar duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.