Kreu i opozitës, Sali Berisha vetëm pesë muaj pasi shpalli Florian Binajn si kandidat i mbështetur nga opozita për zgjedhjet lokale për Tiranën, është tërhequr.
Më 6 tetor të vitit të kaluar ku u vendos fillimisht data 9 nëntor për zgjedhjet e Tiranës, por që u rrëzuan nga Gjykata Kushtetuese, Sali Berisha ishte i bindur se Florian Binaj do të merrte bashkinë përballë Ogerta Manastirliut.
Këtë të shtunë, nga konferenca për shtyp, Berisha u shpreh hapur se do të vendosë opozita për kandidaturën e saj, jo kandidat i pavarur.
Kryedemokrati tha se përgatitjet kanë nisur dhe se kandidatët do të prezantohen shumë muaj përpara zgjedhjeve lokale 2027.
“Opozita ka filluar punën dhe së shpejti përfundon procesin e analizës dhe zgjedhjeve brenda partisë. Ndërkohë që po mendohet, po punohet edhe për zgjedhjet lokale.
Pra nuk do jenë dy muaj përpara, ju siguroj do të jenë shumë më herët se zgjedhjet e fundit dhe ne do të bëjmë gjithçka për kandidaturat më të mira”, tha Berisha.
Teksa PS ka emrin e Ogerta Manastirliut si kandidte për Bashkinë e Tiranës, dëshirën për kandidim e ka shprehur dhe Erion Braçe, të cilin Berisha e cilëson si “përfaqësues i një partie që është zhdukur pa nam e nishan”.
“Ai është, ose mbahet si socialisti, si një përfaqësues i një partie që është zhdukur pa nam e nishan. Por nuk është zhdukur, por ka marrë trajtën e re, sepse kjo parti lindi në krim.
Ndaj dhe më mirë të mos komentoj për problemet e tyre. PD do tu ofrojnë qytetarëve të Tiranës, kandidaturën më të shkëlqyer, do të bëjë gjithçka një front më të gjerë me të gjithë opozitën.”, tha Berisha.