Shqiptari Eni Kokomani ka rrëfyer përvojën e tij pasi u kthye në Shqipëri nga Irani, në mes të tensioneve dhe bombardimeve që kanë tronditur vendin.
I ftuar në emisionin “Review” në Euronews Albania, ai tregoi se vendosi të largohej për arsye sigurie, pasi situata ishte e paparashikueshme dhe askush nuk e dinte se ku mund të binin sulmet.
Sipas tij, ai u largua nga qyteti Kum, ku kishte jetuar prej vitesh, duke kaluar kufirin tokësor drejt Turqisë, dhe më pas vazhdoi rrugën për në Shqipëri.
“U larguam sepse nuk dihej ku mund të binin bombat. Që në ditën e parë u sulmua edhe një shkollë fillore për vajza. Kur ndodhin gjëra të tilla, kupton që sulmet mund të ndodhin kudo dhe civilët janë në rrezik”, u shpreh ai.
Megjithatë, Kokomani theksoi se në shumë zona jeta vazhdonte normalisht, edhe pse pasiguria ishte e pranishme.
Ai shtoi gjithashtu se jo të gjithë shqiptarët janë larguar nga Irani. Disa prej tyre kanë krijuar familje atje dhe kanë zgjedhur të qëndrojnë.
“Disa janë kthyer, por ka edhe shqiptarë që kanë familje iraniane dhe nuk mund të largohen. Për momentin janë mirë dhe nuk raportohen probleme për ta”, tha ai.
Rrëfimi i tij tregon nga afër pasigurinë dhe frikën që përjetojnë civilët në një zonë ku konflikti mund të përshkallëzohet në çdo moment.